Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi duhet ta dijë se ka rregulla se kujt duhet dhënë mandati.
Ymeri kështu deklaroi në një konferencë për media kur u pyet rreth dhënies së mandatit nga presidenti Thaçi partisë së dytë nëse partia apo koalicioni fitues nuk arrin t’i sigurojë numrat për formimin e Qeverisë.
“Thaçi duhet ka kuptojë që s’është mbret, por president. Ka rregulla se i takon mandati. Qytetarët e kanë thënë fjalën e tyre dhe s’mundet as Thaçi e as askush tjetër ta pengoj VV-në”, tha Ymeri.
Në këtë konferencë e cila është thirrur për të diskutuar për regjistrimin e mërgimtarëve për zgjedhje lokale Ymeri ka folur edhe për deklaratat e zyrtarëve të PDK-së në lidhje me udhëheqjen në komunën e Prishtinës.
Ymeri tha se ato janë shpifje që PDK-ja po i bën nga paniku.
“PDK është në panik sepse ka pësuar humbje dhe se i rrezikohet pushteti politik dhe mundësia e keqpërdorimit të parasë dhe pronës publike. PDK në panik e sipër nuk zgjedh mjete për t’i sulmuar kundërshtarët sepse Vetëvendosje do t’ia këpusë këto mundësi dhe rrezikon pasurimin e mëtutjeshëm. PDK tash është angazhuar në një fushatë të shpifjeve ndaj Vetëvendosjes”, tha Ymeri.