Site icon Telegrafi

Ymeri: Të dielën t’ua dëshmojmë Egzonit, Frashërit, Adeas e Atdheut se nuk janë vetëm

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri në hapje të tubimit përmbyllës në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ka thënë se sot katër aktivistë të LVV-së u dënuan me më shumë se 21 vite burg.

“Frashëri, Egzoni e Atdheu u dërguan në paraburgim dhe për atë arsye ata sonte nuk janë këtu. Ky dënim nuk ka të bëjë fare me drejtësinë, ky dënim vjen nga policia dhe gjykatat e kapura nga klani pronto e në bashkëpunim me LDK-në, ky dënim synon ta mbulojë vdekjen e Astrit Deharit”, ka thënë Ymeri.

Ai ka shtuar se ky dënim nuk i ndal, dhe se angazhimi i tyre për 19 nëntorin do të jetë edhe më i madh.

“Ky fuqizim i VV-së i shërben drejtësisë në vend, ky fuqizim i VV-së garanton zhvillim të këtij vendi…”, ka thënë Ymeri, duke shtuar se nuk është hera e parë që LVV-ja sulmohet kështu dhe aktivistët e saj persekutohen në këtë mënyrë.

“Sa më shumë që janë munduar të na ndalin, aq më shumë jemi rritur. Të dielën tua dëshmojmë se këta kanë dështuar. T’ua dëshmojmë Egzonit, Frashërit, Atdhesë e Adeas se nuk janë vetëm”, ka thënë më tej Ymeri.

Ymeri më tej shtoi se më 19 nëntor pesë komuna shtesë pos Prishtinës do të udhëhiqen nga Vetëvendosje. /Telegrafi/

Exit mobile version