Site icon Telegrafi

Ymeri: Me ratifikimin e demarkacionit hidhet poshtë edhe shkenca

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri thotë se po bëhen 1 vit e 8 muaj që kur është nënshkruar e Marrëveshje për demarkacion me Malin e Zi dhe që atëherë numri i kundërshtarëve të saj, për shkak të dëmeve të saj, vetëm sa ka shkuar duke u rritur.

Ai tha se Isa Mustafa, Hashim Thaçi e Kadri Veseli vazhdimisht po insistojnë në ratifikimin e kësaj marrëveshje, të cilën Ymeri e quan të dëmshme.

“205 mijë qytetarë në peticion, qindra mijëra që kanë marrë pjesë në një dyzinë protestash e demonstratash kundër demarkacionit e Zajednicës në protesta, banorët e organizuar të zonave kufitare, të gjithë ekspertët e fushave relevante, deputetët e opozitës, ata të pavarur, madje edhe deputetë të koalicionit, njëzëri e kundërshtojnë dhe kërkojnë zgjidhje tjetër për çështjen”, ka shkruar Ymeri në Facebook.

“Kështu hedhin poshtë edhe shkencën edhe legjitimitetin politik. Dhe çuditërisht ka të tillë persona nga skena publike në vend që po këtë shpërfillje të ekspertizës dhe demokracisë e përkrahin dhe madje e kërkojnë. Gjithnjë në emër të interesit të qytetarëve. Kundër vullnetit të popullit. Si dhe kundër interesave të tij të shprehura publikisht”, shkruan Ymeri.

Ai ka shtuar se brenga kryesore e qytetarëve është papunësia, ndërsa brenga kryesore e Qeverisë për popullin është liberalizimi i vizave.

“Këta qeveritarë në fushatë zgjedhore premtonin vende pune e tash ankohen se nuk po mund ta bëjnë liberalizimin e vizave. Këtyre që duan që qytetarët të kenë veçse viza për të dalur jashtë Kosovës duhet t’ua marr populli vizën që të qëndrojnë brenda pushtetit”, thekson Ymeri në fund të postimit.

Exit mobile version