Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD) dhe deputeti, Visar Ymeri dhe analisti Imer Mushkolaj kanë debatuar ashpër për rolin e Listës Serbe në rrëzimin e mundshëm të Qeverisë Haradinaj.
Ymeri, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se si ai nuk është për rrëzimin e asnjë qeverie në Kosovë, nëse atë veprim e do Beogradi.
“Lista Serbe e ka pamundësuar rrëzimin e Qeverisë, pasi ajo ka shfaqur vullnet për rrëzimin e kësaj qeverie. E, ne e dimë se ky është vullnet i Beogradit”.
Analisti Imer Mushkolaj ka thënë se nuk duhet të arsyetohet qëndrimi i mëtejmë Qeverisë vetëm pse po kërkon rrëzimin e saj edhe Lista Serbe.
“Ju (PSD) po e mbroni një Qeveri që është formuar bashkë me Listën Serbe”, i është drejtuar Mushkolaj, Ymerit.
Ndërsa deputeti i PSD-së i është kundërpërgjigjur duke i thënë se “është shumë mirë që Qeveria nuk është më e varur nga Lista Serbe”.
Mushkolaj ka thënë se është paradoksale që PSD nuk i beson kësaj qeverie e bashkëpunon me ta.
“Zoti Ymeri më vjen keq, por kjo mënyrë e juaj e të vepruarit është as mish as peshk. Ose u besoni atyre njerëzve në Qeveri ose nuk ju besoni. Këto janë kalkulime shumë të rrezikshme të PSD-së”, tha Mushkolaj, përcjell Telegrafi.
Visar Ymeri nga ana tjetër ka thënë se për shkak të mosbesimit ndaj Qeverisë, PSD i ka vendosur kushtet para se të votohet buxheti./Telegrafi/