Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka bërë të ditur se ka diskutuar me kryediplomaten e BE-së, Federica Mogherinin lidhur me zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe në rajon.
Përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, Ymeri ka shkruar se ka biseduar me Mogerinin për dëmet dhe rreziqet që ia shkakton ‘Zajednica’ sovranitetit të Kosovës.
“Ishte e rëndësishme t’ia shpreh drejtpërdrejt Mogherini dëmet dhe rreziqet me të cilat ‘Zajednica’ e kanos sovranitetin e Republikës sonë, si dhe shpërputhjen flagrante që parimet themeltare të ‘Zajednicës’ kanë me vlerat fundamentale të BE-së”, ka shkruar Ymeri në postimin e tij.
Ai më tej ka shkruar se Kosova duhet të jetë Republikë që garanton barazi të qytetarëve.
“Paqja e qëndrueshme në Evropë erdhi, dhe vazhdon të mbijetojë, vetëm në bazë te barazisë mes popujve dhe qytetarëve. Kjo paqe e mirëqenie kanë qenë të pamundura kur kishte pabarazi, shtypje e eksploatim”, ka shkruar Ymeri në postimin e tij.