Site icon Telegrafi

Ymeri: Marrëveshja për energji po i jep pronësi Serbisë në Kosovë

Lëvizja Vetëvendosje! vazhdon ta kritikojë Qeverinë e Kosovës për marrëveshjet e fundit të arritura në Bruksel. Ajo kritika ka edhe për marrëveshjen për energji, që sipas kësaj lëvizje, po i jep pronësi Serbisë në Kosovë.

Lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, në një konferencë për media të enjten, ka thënë se me këtë marrëveshje kryeministri Isa Mustafa ka pranuar që pretendimet e Serbisë për pronë në Kosovë të jenë të negociueshme, pasi sipas tij, pika e fundit e kësaj marrëveshje nuk e qartëson se kujt i takon prona.

Ai ka thënë se kjo pikë madje lë të paqartë pronësinë në disa raste dhe e ndanë sistemin e energjisë në dysh. “Çështja e parë që bie në sy me këtë marrëveshje është pika e fundit e saj, ai paragraf që është pjesë e marrëveshjes në të cilën të dyja palët dakordohen sa i përket pronës siç thuhet aty që gjendet në territorin e Kosovës. Ka dy mendime të kundërta të cilat secila prej tyre konsideron se kjo pronë do të duhej të ishte në pronësi të shtetit respektiv”, ka thënë Ymeri, raporton KoosvaLive.

Sipas tij, në marrëveshje “Kosova konsideron në bazë të kushtetutës së vet dhe ligjeve të veta dhe ligjeve ndërkombëtare që prona që gjendet brenda Kosovës është pronë e Republikës së Kosovës dhe në paragrafin tjetër thuhet se Serbia konsideron që në pajtim me ligjin vendor dhe ndërkombëtar dhe rezolutën 1244 që prona brenda territorit të Kosovës është në pronësi të Serbisë nën rregullimin specifik krahinor dhe pajtim të plotë me Kushtetutën e Serbisë”.

“Me këtë marrëveshje Republika e Kosovës më saktësisht kryeministri i Republikës së Kosovës ka pranuar që për sa i përket pronës që gjendet brenda territorit të Kosovës janë dy mendime të cilat sipas kësaj marrëveshje e kanë legjitimitetin barabartë dhe të plotë, pra sikur atë që thotë Kosova për sa i përket pronës që gjendet në territorin e Kosovës, të njëjtin nivel të kërkesës, pretendimit përmbi pronë e ka edhe Serbia dhe kjo është hera e parë që Qeveria e Republikës së Kosovës, kryeministri i Kosovës e pranon këtë qëndrim si legjitim”, ka thënë Ymeri.

Ai më tej ka thënë se “me këtë marrëveshje përveç që po legalizohet operatori ilegal, ai tash po fuqizohet mbi sistemin energjisë së Kosovës”.

Sipas liderit të Vetëvendosje!-s, në këtë marrëveshje po ashtu thuhet se kompanitë serbe do të aplikojnë për regjistrim dhe do të pajisen leje varësisht se ai i plotësojnë kushtet apo jo.

Ymeri ka thënë se kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa kur e ka pranuar marrëveshjen për energjinë me Serbinë e ka kontestuar shtetin e Kosovës.

Ai ka shprehur bindjen se opozita do të arrijë ta ndalojë zbatimin e kësaj marrëveshje dhe ka ftuar të gjithë qytetarët që të marrinë pjesë në protesta të cilat planifikohen të mbahen kundër marrëveshjeve të fundit në Bruksel. /Telegarfi/

Exit mobile version