Lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka thënë se prej vitit 2011, partia e tij është angazhuar vazhdimisht për formimin e një komisioni për hetimin e SHIK-ut.
“Disa deputetë të LDK-së kanë ngurruar ta nënshkruajnë iniciativën tonë për formimin e këtij komisioni. LDK-ja nuk ka dashtë ta nënshkruajë as kur ka qenë në opozitë, e le më tash që janë në Qeveri”, ka theksuar Ymeri në “Rrokum Roll” të TV Rrokum.
“Sjellja politike e Isa Mustafës më shumë i ka shkue për shtati Kadri Veselit e Hashim Thaçit, sesa kujtdo tjetër, qoftë edhe LDK-së”, thotë ai.
Ymeri ka thënë se gjëja e parë që do ta bëjë Vetëvendosje, nëse e merr pushtetin, do të jetë krijimi i një plani të mirëfilltë për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Më së shumti me këtë goditen njerëzit që janë në krye të institucioneve. Me luftë kundër korrupsionit ka me pasë edhe konfiskim të pasurisë që e kanë përfitue në mënyrë të paligjshme”, ka thënë Ymeri. /Telegrafi/