Site icon Telegrafi

Ymeri: Me koalicionin AAK-PSD, Kosova do të ketë rritje ekonomike deri në 9% në vit, krijohen 25-30 mijë vende të reja pune

Kandidati për deputet nga koalicioni AAK-PSD, Visar Ymeri ka shpalosur idetë për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Ymeri, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se koalicioni AAK-PSD është më i besueshmi sa i përket premtimeve për rritje ekonomike.

Ai ka thënë se do të formohet fondi zhvillimor, ku në të do të përfshihen një pjesë e fondeve të privatizimit dhe Trustit, përcjell Telegrafi.

“Fondi zhvillimor do të jetë një entitet i pavarur i themeluar nga Kuvendi, i rregulluar me ligj, i cili do t’u mundësojë bizneseve të reja dhe atyre ekzistuese të krijojnë hapësirën financiare që të rrisin prodhimin e vet, shërbimet e veta dhe ta rrisin cilësinë e këtyre shërbimeve në mënyrë që të mund t’i plasojnë produktet në tregun e jashtëm”.

Ymeri thotë se sektori i bujqësisë në Kosovë ka shumë më tepër potencial se që aktualisht është duke vepruar.

Ai ka thënë se me përmirësimin e cilësisë së produkteve bujqësore do të ulen eksportet e produkteve bujqësore të konsumit.

Kandidati për deputet nga koalicioni AAK-PSD thotë se Kosova pas formimit të fondit zhvillimor, do të mund të ketë rritje ekonomike deri në 9%.

“Me këtë fond do të kemi rritje ekonomike deri në 9% në vit, çka nënkupton hapje të 25-30 mijë vendeve të reja të punës. Mirëpo nuk është objektivi vetëm të krijohen vendet e reja të punës, por ato vende të jenë cilësore”, tha ndër të tjera Visar Ymeri. /Telegrafi/

Exit mobile version