Telegrafi

Ymeri: Ivanoviq nuk u akuzua për terrorizëm, aktivistët e VV-së po

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se arsyeja pse aktivistëve të kësaj partie po i vazhdohet arresti shtëpiak është mosratifkimi i marrëveshjes për demarkacion.

Ai e ka quajtur krejt këtë proces si të montuar politikisht.

“Arsyeja, pra, është politike. Që i bie se arresti shtëpiak është politik. E që e shpërfaqë po ashtu se i tërë procesi është politik. Për arsye politike. Politikisht i arsyetuar. Politikisht i montuar”, ka shkruar Ymeri në llogarinë e tij në Facebook, transmeton Klan Kosova.

Ymeri ka deklaruar se aktivistët e Vetëvendosjes janë akuzuar për terrorizëm pasi kanë protestuar për Demarkacionin, ndërsa Oliver Ivanoviq nuk u akuzua asnjëherë për terrorizëm.

“Para një jave Oliver Ivanoviqit po ashtu iu caktua masa e arrestit shtëpiak. Ai, ndryshe nga aktivistët, është i dënuar me vendim të gjykatës së shkallës së parë për organizimin dhe pjesëmarrjen në vrasjen e 11 shqiptarëve dhe dëbimin masiv të 11 mijë e 364 shqiptarëve nga pjesa veriore e Mitrovicës në vitin 2000. Ai nuk u gjykua asnjëherë për terrorizëm.
Ndërkohë që aktivistët që morrën pjesë në protestat publike kundër ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion, po”, ka vazhduar tutje ai.

Seanca e radhës për aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje të akuzuar për terrorizëm lidhur me rastin e sulmit në Kuvend do të mbahet më 30 mars.