Telegrafi

Ymeri i gëzohet zgjedhjes së Va der Bellen për president të Austrisë

Lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se zgjedhja e Alexander Van der Bellen për president të Austrisë është lajm i mirë edhe për qytetarët e Austrisë, por edhe për Evropën.

Ai në një postim në rrjetin social Facebook ka shkruar se është lajm i mirë edhe për bashkatdhetarët që jetojnë në Austri, kur dihet që fushata e kundërkandidatit Norbert Hofer ishte përgjithësisht e drejtuar kundër të huajve.

“Kriza e gjatë financiare dhe ekonomike, dhe masat shtrënguese e politikat rigoroze financiare, kanë prodhuar një dinamikë të rrezikshme politike në disa vende të BE-së të rritjes së forcave të ekstremit të djathtë dhe të popullizmit ksenofob, me rrëshqitje të herë pas hershme kah fashizmi i kulluar”, ka shkruar Ymeri.

Sipas kryetarit të VV-së, e tërë kjo rrezikon ta ndryshojë BE-në nga një Evropë e popujve dhe qytetarëve të barabartë, në një Evropë të ‘mbretërve’ që mirëmban dhe ushqen thellimin e ndarjes në mes të pakicës së pasur dhe shumicës së margjinalizuar.

“Vota për Van der Bellen në Austri është votë kundër këtij trendi. Është votë kundër masave shtrënguese, është votë për një shtet të mirëqenies e barazisë, ku nuk ka të përjashtuar e as të margjinalizuar”, thuhet në publikimin e tij.