Site icon Telegrafi

Bajrush Ymeri flet për problemet në Novobërdë gjatë sezonit të dimrit

Nënkryetari i komunës së Novobërdës, Bajrush Ymeri në emisionin “Zyra e Ankesave”, në RTV Dukagjini ka folur për problemet që paraqiten në këtë komunë në sezonin dimëror.

Ymeri tha se për heqjen e borës kanë kontraktuar një kompani, ndërsa për pastrimin e trotuareve nga bora nuk kanë kompani të kontraktuar.

Ai po ashtu tha se për momentin shumica e rrugëve janë të kalueshme, përveç disa zonave malore.

“Kemi të kontraktuar një kompani e cila bën mirëmbajtjen e rrugëve gjatë sezonës së dimrit, konkretisht bën pastrimin e rrugëve nga bora kur ka sasi të madhe. Po ashtu si komunë kemi një kamionë të vogël për hapjen e rrugëve. Por për trotuare nuk kanë angazhuar ndonjë kompani dhe nuk besoj që do të ketë mundësi të bëhet një gjë e tillë, përveç se nëse angazhohet ekipi i zjarrfikësit me këtë kamionë të vogël. Për momentin rrugët janë të kalueshme , përveç fshatrave malore në komunën e Novobërdës. Për shkak të terrenit rrugët janë pak me ngrica, por shumica e rrugëve janë të kalueshme”, ka thënë ai.

Ndërsa, sa i përket ndriçimit publik në këtë komunë Ymeri tha se ka marr ankesa të ndryshme nga qytetarët dhe këto siç tha do t’i adresoj në mbledhjen e Kuvendit Komunal.

“Po është e vërtetë që ka mungesë të ndriçimit publik. Javën e kaluar patëm mbledhjen për komunitete. Kam pranuar telefonata ankesa të qytetarëve dhe i kam prezantuar në komitetin e komuniteteve”, theksoi Ymeri. /Telegrafi/

Exit mobile version