Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PSD-së, Visar Ymeri e ka vlerësuar shqetësues deklarimin e sotëm në Prishtinë të Komisionerit për Fqinjësi Evropiane dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, për procesin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Ymri, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “ky proces kishte qenë i lidhur padrejtësisht me ratifikimin e Marrëveshjes për Shenjim të Vijës Kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, kushtëzim ky që asnjëherë nuk pati kurrfarë shpjegimi logjik”.
“Dhe tash pasi që kjo marrëveshje u ratifikua, na thuhet se megjithatë duhet të pres procesi i liberalizimit të vizave. Kështu po vihet në pikëpyetje vetë kredibiliteti i institucioneve të BE-së”, ka shkruar Ymeri.
Postimi i plotë i Ymerit:
“Është jashtëzakonisht shqetësuese të dëgjohet një deklarim i tillë nga Komisioneri për Fqinjësi Evropiane dhe Negociata për Zgjerim Johannes Hahn, për procesin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ky proces kishte qenë i lidhur padrejtësisht me ratifikimin e Marrëveshjes për Shenjim të Vijës Kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, kushtëzim ky që asnjëherë nuk pati kurrfarë shpjegimi logjik. Dhe tash pasi që kjo marrëveshje u ratifikua, na thuhet se megjithatë duhet të pres procesi i liberalizimit të vizave. Kështu po vihet në pikëpyetje vetë kredibiliteti i institucioneve të BE-së.
Lëvizja e lirë është një prej të drejtave dhe vlerave evropiane. Prandaj ngurrimi i vendeve të caktuara, anëtare të BE-së, për t’ua zgjeruar këto të drejta edhe qytetarëve të Kosovës, bie ndesh drejtpërdrejt me vlerat dhe të drejtat fundamentale që e kanë ndërtuar dhe mundësuar deri tash Bashkimin Evropian.
Është gabim dhe e dëmshme që politikat e BE-së, veçanërisht karshi rajonit e Kosovës, të fillojnë të skicohen bazuar në qëndrimet ksenofobe të ekstremit të djathtë. Rritja e popullaritetit të forcave të këtilla politike është shqetësues për të gjithë. Dorëzimi i pjesshëm karshi tyre rrezikon t’u jep atyre të drejtë, në vend se t’i luftojë e reduktojë ato.
Natyrisht që qeverisja në Kosovë e sundimi i ligjit duhet doemos të ndryshohen. Këto, jo për shkak të kushteve të BE-së, por për shkak të lirisë, barazisë e mirëqenies së qytetarëve. Mirëpo këto nuk ndryshohen duke plotësuar kritere objektive në regjistrin e disa burokratëve të Brukselit, por me një vizion progresiv zhvillimor për ekonominë e shoqërinë dhe me një proces gjithëpërfshirës vettingu për gjyqësorin, policinë dh prokurimin”, ka shkruar Ymeri. /Telegrafi/