Site icon Telegrafi

Ymeri: Beogradi nuk duhet lejuar ta cenojë zgjedhjen e lirë për qytetarët e Kosovës

Kandidati i Partisë Socialdemokrate për deputet, Visar Ymeri ka thënë se Beogradi nuk duhet lejuar ta cenojë zgjedhjen e lirë për serbët e Kosovës.

Ymeri përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se, presionet, kërcënimet dhe shantazhet e Beogradit zyrtar ndaj serbëve me të drejtë vote në Kosovë për t’i obliguar ata ta votojnë Listën “Srpska”, dëshmojnë edhe më shumë domosdonë që Qeveria e ardhshme e Kosovës pas 6 tetorit, të mos jetë e varur nga ky formacion politik, transmeton Telegrafi.

“Ndërhyrja e Beogradit zyrtar e dëshmon edhe më shumë kishim të drejtë, ne deputetët e Partisë Socialdemokrate në legjislaturën e fundit, kur, bashkë me Kryeministrin Haradinaj, e larguam këtë ndikim në vendimmarrjen shtetërore të Kosovës, për herë të parë në historinë e Republikës së Kosovës prej kur Listës “Srpska” është e pranishme në Kuvendin e Republikës”, ka shkruar Ymeri.

Ai ka shtuar se Kosova  institucionet e saj dhe shoqëria, duhet të krijojnë kushte, frymë dhe mekanizma, që serbët në Kosovë të jenë të lirë për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre politikë, të mbrojtur nga pushteti autoritar dhe mendësia totalitare e Beogradit zyrtar.

“Tolerimi i veprimeve të Beogradit në emër të nevojës së kontrollit politik të serbëve të Kosovë nga Serbia për shkak të stabilitetit të brendshëm dhe të proceseve të ardhshme politike, po e pengon e pamundëson zhvillimin e një përfaqësimi autentik politik të serbëve që jetojnë në Kosovë bashkë me të tjerët. Stabilokracia nuk është mundësi për demokraci”, vijon shkrimi i Ymerit./Telegrafi/

Exit mobile version