Telegrafi

Ymeri: BDI-ja të mos ia mundësojë edhe një mandat shovinistit Nikolla Gruevski (Foto)

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit në Maqedoni, zgjedhje ku shqiptarët kanë humbur disa mandate, njofton Telegrafi Maqedoni.

Ai thotë se këto rezulate kanë treguar se një bashkim i Lëvizjes Besa dhe Aleancës për Shqiptarët do t’i nxirte fuqishëm si subjet i parë shqiptar.

”Rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni treguan që bashkimi paraprak i Lëvizjes BESA dhe Aleancës për Shqiptarët do t’i nxirrte ato fuqishëm si subjektin e parë shqiptar.”

Ymeri shpreh keqardhje për siç thotë, rënien e fuqisë së përgjithshme politike të shqiptarëve në Maqedoni, kurse një pjesë e përgjegjësisë bie mbi partitë shqiptare.

”Është për keqardhje se si shqiptarët kanë pësuar rënie në fuqinë e përgjithshme politike. Një pjesë të përgjegjësisë për këtë e kanë drejtpërdrejt partitë shqiptare që nuk arritën të bëhen bashkë nën një platformë kombëtare.”

Lideri i VV-së, Visar Ymeri, porositë BDI-në që të mos ia mundësojë edhe një mandat Gruevskit për shkak të shovinizmit të tij ndaj shqiptarëve.

”Prandaj BDI, e cila mori më së shumti deputetë nga shqiptarët, nuk duhet të bëhet pjesë e qeverisë e t’ia mundësoj Gruevskit edhe një mandat. Gruevski e ka dëshmuar në shumë raste qëndrimin e tij shovinist ndaj shqiptarëve. Prandaj ai nuk duhet ndihmuar.”/Telegrafi/