Janë bërë pesë vite prej se e ka lënë futbollin kosovar, por Ymer Statovci vazhdon të jetojë me këtë sport.
Ai për një kohë të gjatë ka luajtur për Kosovën e Prishtinës, ku ishte dhe kapiten, ndërsa tani jeton në Finlandë.
Ymeri njihet edhe si tifoz i flaktë i Liverpoolit, ku rrjetet sociale të tija janë të mbushura me foto të këtij klubi dhe lojtarëve.
“Futbollin u bën pesë vite që e kam lënë dhe më mungon shumë. Nuk mund ta përshkruaj me fjalë se sa shumë. Kam lënë një pjesë të jetës time pas futbollit dhe shpesh shikoj fotot e vjetra dhe mërzitem shumë, por vitet ikin shpejt dhe duhet të pajtohesh”, deklaroi Statovci.
Ai tani jeton në mërgim dhe nuk po gjen edhe aq kohë të shikojë ndeshjet e Superligës së Kosovës, por shpreson që FC Prishtina të fitojë titullin, ose minimumin të dal në Evropë.
Ajo çfarë i ka rënë në sy ish mbrojtësit është se te Kosova lojtarët nuk japin maksimumin si në klube.
“E luhatshme është forma e lojtarëve, pasi sipas meje nuk japin 100 për qind, ashtu sikurse luajnë në klubet. Por tani pres rezultate pozitive, por lëndimi i Muriqit do të jetë problem paksa. Kthimi i Zhegrovës dhe Muslijës është lajm i mirë”, nënvizoi Statovci.
Në fund nuk munguan fjalët për klubin e zemrës, Liverpooli, ku pret luftë të flaktë për titull dhe në Ligën e Kampionëve nga Reds.
“Në Ligën Premier shpresoj çdo vit për titull, por me ardhjen e Arne Slot duket se lojtarët janë në nivel të lartë. Mendoj që nëse jo kampion, nënkampion do të dalim 100 për qind. Për Ligën e Kampionëve shpresoj që të jemi në finale”, përfundoi Statovci. /Telegrafi/