Telegrafi

Yllka Kuqi kujton shoqen e saj të ngushtë, luftëtaren Yllka Domi në 21-vjetorin e rënies

Yllka Kuqi dhe shoqja e saj, Yllka Domi (Foto: Instagram)

Sot janë bërë 21 vite që nga rënia heroike e luftëtares 17 vjeçare, Yllka Domi, e cila ra dëshmore në Betejën e Çabratit, më 7 maj të vitit 1999.

Me këtë rast, këngëtarja e njohur nga Gjakova, Yllka Kuqi ka kujtuar shoqen e saj të ngushtë.

Artistja i ka bërë një dedikim prekës në rrjetet sociale, përmes të cilit ndan disa momente të ditës kur ishte vrarë Domi.

Yllka Kuqi (Foto: Instagram)

“Shoqe të ngushta përgjithmone, këtë i premtuam njëra-tjetrës ditën e fundit kur u pamë me 24 mars 1999… për t’u ndarë përgjithmonë më 7 maj 1999. E ndjej si sot trishtimin që ndjeva kur më thanë që të kanë parë të vrarë në Çabrat teksa unë po shikoja nga dritarja e dhomës time tymin që dilte nga djegia e lagjes tënde e që ishte jo larg banesës time”.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Yllka Kuqi

“Nuk deshëm të besojmë atë lajm as unë e as Albina e vazhduam në luftë e pas luftës të kërkonim kudo që njerëzit na thonin se të kanë parë e dëgjuar për ty. Na thanë se je gjallë dhe kjo na mbajti një kohë të gjatë derisa ta gjetën trupin. Trupin tënd nuk e kam parë e as që doja apo do kisha dashtë ndonjëherë ta shoh. Dua të besoj se ti jeton. Akoma të shoh në ëndërr si të gjallë. Shoqja ime më e mirë, e bukura ime Yllka Domi”, ka shkruar mes tjerash ajo.

Yllka përndryshe tash e një kohë është zhvendosur në Kanada së bashku me burrin e saj, Astrit Pallaskën. /Telegrafi/