Sot janë bërë 21 vite që nga rënia heroike e luftëtares 17 vjeçare, Yllka Domi, e cila ra dëshmore në Betejën e Çabratit, më 7 maj të vitit 1999.
Me këtë rast, këngëtarja e njohur nga Gjakova, Yllka Kuqi ka kujtuar shoqen e saj të ngushtë.
Artistja i ka bërë një dedikim prekës në rrjetet sociale, përmes të cilit ndan disa momente të ditës kur ishte vrarë Domi.
“Shoqe të ngushta përgjithmone, këtë i premtuam njëra-tjetrës ditën e fundit kur u pamë me 24 mars 1999… për t’u ndarë përgjithmonë më 7 maj 1999. E ndjej si sot trishtimin që ndjeva kur më thanë që të kanë parë të vrarë në Çabrat teksa unë po shikoja nga dritarja e dhomës time tymin që dilte nga djegia e lagjes tënde e që ishte jo larg banesës time”.
“Nuk deshëm të besojmë atë lajm as unë e as Albina e vazhduam në luftë e pas luftës të kërkonim kudo që njerëzit na thonin se të kanë parë e dëgjuar për ty. Na thanë se je gjallë dhe kjo na mbajti një kohë të gjatë derisa ta gjetën trupin. Trupin tënd nuk e kam parë e as që doja apo do kisha dashtë ndonjëherë ta shoh. Dua të besoj se ti jeton. Akoma të shoh në ëndërr si të gjallë. Shoqja ime më e mirë, e bukura ime Yllka Domi”, ka shkruar mes tjerash ajo.
Yllka përndryshe tash e një kohë është zhvendosur në Kanada së bashku me burrin e saj, Astrit Pallaskën. /Telegrafi/