Site icon Telegrafi

Ylli i telenovelave ua beson stilistëve Kujta & Meri shkëlqimin në tapetin e kuq (Foto)

Nuk është më risi që emri Kujta & Meri – marka që mban emrin e çiftit të njohur të stilistëve nga Kosova, të përmendet mes emrave shumë të rëndësishëm të modës në botë.

Kujta dhe Meri, një emër i njohur për modën shqiptare, këtë herë ka shkelur në një tapet shumë të rëndësishëm dhe për të dytin vit radhazi. Madje, me veshjen më të mirë në Hollywood.

Vitin e kaluar, në Bollywood, aktorja e famshme Parineeti Chopra shkëlqeu me një fustan nga Kujta dhe Meri në tapetin e kuq. Të gjithë folën për të dhe për dizajnin unik me të cilin aktorja e famshme u prezantua para aparateve.

Këtë vit, në tapet erdhi një emër tjetër i ekranit me një zgjedhje të dy stilistëve shqiptarë. Latin American’s Music Awards 2018, një event shumë i rëndësishëm që mbahet çdo vit në Los Angeles, California, pati të ftuar yje nga e gjithë bota.

Siç dihet, parada e tapetit të kuq nuk kalon kurrë pa vëmendje, përkundrazi. Kush u vesh më bukur, kush më pak, flokët, grimi e gjithçka tjetër që i përket performancës në tapet është e komentuar gjithandej.

Megjithatë, ajo që të gjithë e komentuan, e vlerësuan dhe e klasifikuan si veshjen më të mirë ishte një zgjedhje shqiptare. Ylli i njohur i serialeve, Aracely Arámbula, u vlerësua si e veshura më mirë në Latin American’s Music Awards 2018.

Votat e publikut online, në pothuaj të gjitha mediat ndërkombëtare kanë renditur Aracely Arámbula-n dhe fustanin e saj si më të mirin në këtë event.

Të pyetur nga revista Class për këtë vlerësim shumë të lartë në eventin ndërkombëtar, Kujta & Meri thanë se janë shumë të lumtur që emri dhe marka e tyre kryeson listën e veshjeve më të mira. Siç rrëfejnë stilistët, pas fustanit unik që veshi aktorja e famshme latine, kanë nisur menjeherë kërkesa edhe nga emra shumë të njohur të Hollywood-it: “Pas këtij prezantimi, kemi shumë kërkesa nga personazhet e Hollywood-it…”

Fustani ka një dizajn unik, i cili, në fakt, e ka zanafillën në koleksionin e shumë viteve më parë. Ideja fillestare e stilistëve ishte bazuar në koleksionin e tyre të hershëm, një vizatim në formë flake apo siç e quanin ‘fustani zebra’. Ndërsa tani, mbështetur mbi atë model “është krijuar një dizajn i ri me ngjyrë të bardhë.”

Në Hollywood, fustanin e kishin quajtur ‘flakë’, edhe pse vjen i bardhë. Siç rrëfejnë stilistët, gjithçka është punuar me dorë dhe me mjeshtëri të vërtetë. Hollywood-i, por edhe Bollywood-i duhet t’i ulin “armët” kur është fjala për stil. Sidomos kur është fjala për artistë si Kujta & Meri.

Exit mobile version