Luftëtari i MMA, Iuri Lapicus, e ka humbur jetën pas një aksidenti me motoçikletë në Itali që e la në koma për tri ditë.
Ai e kishte humbur kontrollin të premten dhe ishte përplasur me një automjet që e drejtonte një grua 69 vjeçare në provincën milaneze, Pogliano Milanese.
Kur shërbimet emergjente arritën në vendin e ngjarjes, 27-vjeçari ndodhej në koma, pasi ishte hedhur disa metra larg nga forca e përplasjes.
Lapicus është dërguar me helikopter në spitalin Niguarda, ku ka qëndruar për tri ditë në kujdesin intensiv, mirëpo mjekët nuk kanë arritur ta shpëtojnë.
Ylli moldavo-italian ka marrë pjesë në 16 meçe profesionale të MMA duke i fituar 14 prej tyre në një seri fitoresh, para se ta pësonte humbjen e parë në vitin 2020.
Katër nga fitoret ishin me nokaut, të tjerat me dorëzim të kundërshtarëve, ndërsa 13 sosh i ka fituar që në raundin e parë. /Telegrafi/