Telegrafi

Ylli i Kosovës rezulton pozitiv me COVID-19, St Gallen – Zurich shtyhet për një tjetër datë

Vazhdojnë të infektohen futbollistët me coronavirus nëpër botë.

Rastet e fundit vijnë nga klubi zviceran St Gallen, ku ylli i Përfaqësueses së Kosovës, Betim Fazliji ka rezultuar pozitiv.

E përditshmja zvicerane Blick ka raportuar se përveç qendërmbrojtësit kosovar, me COVID-19 është prekur edhe portieri Lukas Watkowiak.

Kjo ka bërë që autoritetet zvicerane të japin urdhër që e gjithë skuadra të futet në karantinë.

Kësisoj ndeshja e paraparë të zhvillohet të dielën në kuadër të kampionatit zviceran, mes St Gallen dhe Zurich është shtyrë për një tjetër datë.

Si Fazliji ashtu edhe Watkowiak janë ankuar për disa simptoma të lehta dhe pas testimeve kanë rezultuar pozitiv.

Gjithsesi të dy futbollistët janë me shëndet mirë dhe do të jenë të izoluar për 10 ditë.

Ndërkohë pjesa tjetër e skuadrës së ST Gallen do të qëndrojnë të izoluar deri më 1 dhjetor, ndërsa pritet të rikthehen në fushë më 5 dhjetor ndaj Vaduz. /Telegrafi/