Këngëtarja dhe përfaqësuesja e vitit të kaluar e Izraelit në Eurovision Song Contest, Noa Kirel, anuloi koncertin e saj në Tel Aviv pasi Hezbollahu hodhi një raketë.
Ky yll 23-vjeçar i estradës anuloi koncertin në Yarkon Park, i cili duhej të mbahej nesër.
Në një deklaratë për mediat, ajo tha se vendimin e ka marrë bashkë me organizatorët e koncertit pasi nuk ka dashur të rrezikojë fansat e saj.
Sipas organizatorëve, rreth 30 mijë njerëz priten në koncertin e saj në Tel Aviv.
Ata theksuan se së shpejti do të shpallet një datë e re e shfaqjes dhe të gjitha blerjet e biletave do të jenë të vlefshme për datën e re.
Meqë ra fjala, Noa Kirel, e cila përfaqësoi Izraelin në Eurovision vitin e kaluar, kur fitoi vendin e tretë me këngën “Unicorn”, ka folur për luftën mes Hamasit dhe ushtrisë izraelite.
“Ishte jashtëzakonisht e vështirë për mua të ‘tretja’ 24 orët e fundit dhe ende po përpiqem të gjej fjalët e duhura për të shprehur dhimbjen e pamasë që po kalojmë unë dhe vendi im. Dje, herët në mëngjes, më shumë se 3000 raketa u qëlluan kundër nesh, terroristët pushtuan qytetet tona dhe masakruan më shumë se 300 vëllezër dhe motra tona, më shumë se 1,000 u plagosën dhe ushtarët dhe civilët tanë (përfshirë fëmijët e pafajshëm dhe të moshuarit) u rrëmbyen dhe u dërguan në Gaza”, postoi ajo në profilin e saj në Instagram.
Më pas ajo shtoi se “i dhemb zemra për viktimat dhe familjet e prekura nga masakra shkatërruese dhe se nuk ka dyshim se do të fitojë”.
“Zemra ime është me ju dhe lutem për kthimin e shpejtë të vëllezërve dhe motrave tona në shtëpi. Nuk kam asnjë dyshim se do të fitojmë”, tha mes tjerash. /Telegrafi/