Telegrafi

Ylli debuton me humbje në FIBA Europe Cup

(Foto: basketbolli.com)

Golden Eagle Ylli ka debutuar në grupet e FIBA Europe Cup. Kampionët e Kosovës në ndeshjen e parë pësuan nga Hapoel Galil Elion me rezultat 76-93 (23:20, 12:28, 19:24, 22:21).

Vendasit e nisën ndeshjen shumë më mirë, duke krijuar epërsi 12:3, por më pas këndellen mysafirët që afrojnë dhe barazojnë shifrat, ndërsa çereku i parë përfundoi 23:20 për kampionët e Kosovës, që luajtën si vendas në Prizren.

Megjithatë, mysafirët nga Izraeli vazhduan me lojë të mirë në periudhën e dytë, ku ishin të pandalshëm dhe të saktë me gjuajtje, duke u shkëputur për të shkuar në pushim me rezultat 35-48.

Skuadra izraelite duke shfrytëzuar edhe përvojën në garat ndërkombëtare, zhvilloi lojë më të kujdesshme në periudhën e tretë, për të ruajtur epërsinë dhe për ta shtuar, ndërkohë që shifrat në semafor pas 30 minutash ishin 54:72.

Therandasit dhanë maksimumin në periudhën e fundit, por ishte e pamjaftueshme dhe pësuan 76-93.

Ndeshja tjetër e këtij grupit ndërmjet Niners Chemnitz dhe Brose Bamberg do të zhvillohet nesër.