Telegrafi

Ylli i Barcelonës do të vendosë për të ardhmen e tij pas bisedës me zëvendësuesin e Xavit

Javën e kaluar, trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, e përsëriti dëshirën e tij që Sergi Roberto të vazhdojë të jetë pjesë e klubit edhe pas përfundimit të sezonit, përkundër largimit të tij.

Tekniku 44-vjeçar ka qenë një përkrahës i madh i mesfushorit veteran, ani pse raportimet kanë sugjeruar se krerët e klubit nuk janë të bindur nga performancat e 32-vjeçarit.

Pasi Xavi njoftoi për largimin e tij në verë, ishte raportuar gjerësisht se edhe Roberto do të largohej gjithashtu, pasi kontrata e tij nuk do të rinovohej.

Sidoqoftë, siç raporton SPORT, kjo nuk është e vërteta, pasi gjiganti katalan është bërë gati për t’i ofruar një kontratë të re Robertos, i cili gëzon një respekt të madh nga bashkëlojtarët dhe trajnerët, dhe se paga e tij është shumë e vogël.

Përkushtimi i Robertos ndaj Barcelonës në dekadën e fundit ka qenë shumë i fortë, sa që si kapiten i klubit ai e ka fituar të drejtën që të vendosë vet për të ardhmen e tij.

Për këtë arsye ai ka planifikuar që të mbajë bisedime me pasuesin e Xavit sapo ai të emërohet në krye të klubit, për të ditur më shumë rreth planeve të tij.

Në rast se trajneri i ardhshëm i bën me dije reprezentuesit spanjoll se ai nuk bën pjesë në planet e tij, atëherë Roberto me shumë mundësi do të ndërrojë ambient./Telegrafi/