Ish-kapiteni i Barcelonës, Sergio Roberto, raportohet se është i etur që të transferohet në Ligën Premier pasi dështoi që të nënshkruajë një kontratë të re.
Roberto u bë pjesë e ekipit të parë të Barcelonës përmes akademisë së famshme La Masia, ndërsa me fanellën e blaugranasve numëron 373 paraqitje dhe shtatë tituj të La Ligas.
Ai u bë kapiten pas largimit të Sergio Busquets, por mbeti lojtar i lirë pas datës 30 qershor në një situatë të komplikuar sa i përket kontratës së tij.
Barcelona dëshiroi që ta zgjaste qëndrimin e Robertos dhe ishin të përgatitur që ai të qëndronte, pasi paraprakisht ishin pajtuar për kushtet financiare në muajin maj.
Plani ishte që reprezentuesi spanjoll të nënshkruante për një tjetër sezon për shkak të problemeve me ‘fair-play financiar’, pasi Barcelona nuk mund ta regjistronte atë menjëherë.
Në vend të kësaj, nëse ai do të nënshkruante, regjistrimi nuk do të mund të aprovohej deri më datë 10 gusht.
Afati i fundit që blaugranasit kishin vënë ishte 10 korriku, por Roberto u bë i paduruar me situatën e tij dhe nuk e nënshkroi marrëveshjen, duke bërë që të largohet nga klubi pas 14 vitesh.
Sipas Mundo Deportivo, 32-vjeçari ka marrë disa oferta në Spanjë, por që për momentin i ka lënë që të gjitha pezull.
Ai raportohet se ka hedhur poshtë gjithashtu edhe mundësinë e kalimit në Superligën e Arabisë, por ende mund të vlerësojë ofertat nga Sevilla, Valencia dhe Girona.
Asnjë klub specifik nuk është përmendur si favorit për shërbimet e Robertos, pasi ai thuhet që është i etur t’i bashkohet ndonjë klubi në Ligën Premier, aty ku mund të ketë një ndikim të madh në fazën e fundit të karrierës./Telegrafi/