Ish-drejtori i Drejtorisë për Kulturë nga Lëvizja Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova, ka reaguar ndaj një shkrimi të deputetit të PDK-së, Memli Krasniqi, rreth “trajtimit të trashëgimisë kulturore nga qeveria që po vjen”.
Krasniqi kishte reaguar pas publikimit të ofertës së LVV-së që i ka bërë LDK-së për koalicion qeverisës.
Në një postim në Facebook, deputeti i PDK-së, ka shkruar se zhbërja e MKRS-së jo vetëm që është e pamenduar mirë, por ka edhe qëllim të keq.
“Për kulturën, rininë e sportin, së paku paskan diskutuar mbrapsht, por për trashëgiminë kulturore e për të drejtën autoriale as edhe një fjale e vetme. Thua se këto fusha janë aq të parëndësishme, saqë duhet zhdukur tërësisht edhe departamentet ekzistuese në MKRS. Kjo është jo vetëm e dhimbshme, por mbi të gjitha fyese dhe ofenduese”, kishte shkruar ndër tjerash Krasniqi.
Dhe lidhur me këtë, është përgjigjur Rugova.
“PDK-ja paska para-reaguar me një parashikim për trajtimin që do t’i bëhet trashëgimisë kulturore dhe kulturës në Qeverinë që po vjen. Këtij para-reagimi ne mund t’i përgjigjemi veç me një përkujtim të shpejtë të një fakti: gjendjen në të cilën është trashëgimia kulturore dhe kultura e Kosovës është rezultat i politikave amatoreske dhe zhvatëse të PDK-së me shokë”, ka shkruar Rugova në Facebook. /Telegrafi/