Figura të shumta publike kanë reaguar në lidhje me rastin e paprecedentë të përdhunimit të 15-vjeçares në Tiranë, e cila është ndër temat më të diskutuara në Shqipëri këto ditë.
Në kryeqytetin shqiptar të enjten u organizuan protesta, për të dalë në mbrojtje të të gjitha atyre vajzave që bien pre e dhunimit.
Figurat publike nuk kanë munguar në këtë protestë paqësore, teksa shumë prej tyre janë parë edhe me banderola.
Ndërkohë, këngëtari i njohur kosovar, Yll Limani, ka vendosur që të reagojë përmes një fotografie të publikuar në llogarinë e tij zyrtare në Instagram, ku shfaqet një person gjatë protestës që mbante në duar banderolën me titull “Mbro vajzën, eduko djalin”.
Në mbishkrimin e kësaj fotografia, këngëtari ka bërë të ditur se personat që mbrojnë veprime të tilla, janë më tmerr se sa ata që i kanë kryer vet.
“Ti që thu “e ka lyp vet”, ti je ma tmerr se dhunuesi. Ti që menon që ngacmimi, prekja e padëshirume, presioni ose kërcënimi për me kry marëdhënie s’jon abuzim seksual, lista o hala ma e gjatë… Leni qikat rahat, edukoni djemt”, ka shkruar Yll Limani në Instagram.
Ndërkohë, Eneda Tarifa, Soni Malaj, Jonida Maliqi, Rovena Dilo, Manjola Nallbani e Eranda Libohova janë vetëm disa nga këngëtaret e njohura që kanë qenë të pranishme në protestën e 4 qershorit. /Telegrafi/