Ndeshja spektakolare që pritet të ngjallë interesim të madhe dhe ta mbushë përplot stadiumin e kryeqytetit, do të fillojë në ora 19:00. Para ndeshjes do të ketë edhe koncert ku do të performojnë këngëtarë të njohur si, Afrim Muçiqi, Sinan Vllasaliu, Ermal Fejzullahu dhe Leonora Jakupi.
“Synim yni është që t’i kthejmë kujtimet kur mbushej stadiumi dhe kur luanin yjet e futbollit në Kosovë. Pra, do të jetë një festë dhe e kemi ndërmend që një eveniment të tillë ta bëjmë tradicional”, ka thënë presidenti i klubit bardhekaltër, Remzi Ejupi, për Express.
Yjeve të futbollit kosovar në këtë spektakël të futbollit do t’u prijë Lorik Cana, e pas tij vijnë, Granit Xhaka, Valon Behrami, Etrit Berisha, Admir Mehmedi, Xherdan Shaqiri, Agon Mehmeti, Alban Meha, Anel Raskaj, Ardian Gashi, Armend Dallku, Blerim Xhemaili, Asdren Llullaku, Debatik Curri, Besart Berisha, Shefki Kuqi, Fatos Beqiraj, Ilir Azemi, Ilir Berisha, Kristian Nushi, Migjen Basha, Vullnet Basha, Samir Ujkani e Përparim Hetemaj, e shumë e shumë të tjerë.
Ky do të jetë një rast i mirë që dashamirët e futbollit t’i kenë pranë idhujt e tyre, që me shumë sukses paraqiten nëpër klubet e ndryshme evropiane. /Telegrafi/