Shqipëria dështoi për të disatën herë në Festivalin Evropian të këngës.
Kënga “Fairytale” e Eneda Tarifës, e cila përfaqësonte Shqipërinë këtë vit u diskualifikua që në gjysmëfinale.
Ky projekt muzikor që nga përzgjedhja e tij në Festivalin e RTSH-së u cilësua si jo i denjë për një festival si Eurovizioni.
Të kontaktuar nga Telegrafi muzicient e këngëtarë të njohur të skenës shqiptare kanë folur për arsyet që dërgojnë vazhdimisht Shqipërinë në dështim sa i përket këtij festivali dhe ndryshimin që do të mund t’i sillte këngës shqipe suksese në të ardhmen.
Këngëtari Adrian Gaxha, i cili në vitin 2008 përfaqësoi Maqedoninë tha se suksesi i një kënge në Festivalin Evropian nuk varet vetëm nga këngëtari apo kënga.
“Në vend të parë është fuqia e një shteti dhe lidhshmëria politike me shtetet tjera. Duhet investim i madh rreth videoklipit dhe promovimit të këngës në Evropë”, tha Adriani duke zbulur se me të njëjtat probleme që sipas tij i ka Shqipëria, u përball ai kur përfaqësoi Maqedoninë.
“Ne mezi gjetëm financa për mbulimin e rrugës dhe hoteleve sepse kemi qenë ekip prej 30 njerëzve, ndërsa aty çdo shtet ishte organizim me ekip prej 200 deri në 300 persona përfshirë edhe televizione e gazetarë që bëjnë zhurmë për këngën e shtetit të tyre, duke mos përjashtuar edhe shpenzimet për performancën skenike. Eurovizioni është projekt që kushton me miliona dhe ne jemi larg këtyre”.
Fajtor për këto dështime të vazhdueshme, kompozitori Florent Boshnjaku e sheh vetë Festivalin e RTSH-së. Ky festival viteve të fundit është ballafaquar me probleme, të cilat sipas tij rezultuan në jo të mirë të përfaqësuesve.
“Mendoj që RTSH duhet të ofrojë afër vetës më shumë njerëz me energji e përkushtim më të madh që muzika shqiptare në përgjithësi të prezantohet sa më mirë jo vetëm në Eurosong, por edhe në vetë Festivalin e RTSH-së”.
Njëra nga artistet më të kompletuara shqiptare, Yllka Kuqi thotë se nuk është fanse e Eurovizionit dhe nuk beson se do të merrte pjesë ndonjëherë.
Sipas saj këngët po punohen më shumë që t’i përshtaten festivalit dhe po harrohen shijet e publikut.
“Këngët duhet të jenë të tilla që së pari t’i pëlqejë populli shqiptar, të cilët do të duheshin të mobilizohen për përkrahje të këngës përfaqësuese. Thjesht kënga duhet të jetë në shijen e publikut dhe të ketë ndonjë veçanti për këngëve të shteteve tjera”.
Problemi më i madh qëndron në mekanizmin për vlerësimin e këngëve sipas Genc Prelvukajt. Ai thotë se kënga përfaqësuese po zgjidhet sipas interesave të ngushta.
“Mendoj që duhet të reformohet shumëçka. Shqipëria mundet më mirë”, tha anëtari i Etnon, i cili momentalisht po shijon suksesin e këngës më të ndëgjuar të momentit në bashkëpunim me Gentën.
Por ndryshe nga Genci mendon Korab Shaqiri. Ai nuk sheh problem mënyrën e përzgjedhjes së këngëve por krijimin e tyre nga kompozitorët, të cilët sipas tij janë problem më i madh.
“Problemi qëndron te krijuesit e këngëve. Zëri dhe interpretimi i Eneda Tarifës ishte fantastik por kënga nuk meritonte as Festivalin e RTSH-së e lëre më Eurovizionin”, tha Korabi, i cili mendon që përzgjedhja e këngës përmes festivalit është mënyra e duhur dhe Shqipëria çdo vit e ka dëshmuar se ka zëra të fuqishëm në skenën e saj muzikore.
Veç tjerash Korabi për Telegrafin zbuloi se vitin e ardhshëm ai do të marrë pjesë në Festivalin e RTSH-së si këngëtar ose si kompozitor.
Eneda Tarifa ishte përfaqësuesja e 12 me radhë që nga Anjeza Shahini, e cila në vitin 2004 përfaqësoi Shqipërinë për herë të parë në garën më të madhe evropiane të këngës.
Si pjesëmarrja më e suksesshme mbetet ajo e Rona Nishliut, e cila me këngën “Sus” arriti të renditet e pesta me 146 pikë./Telegrafi/