Takimi prej më shumë se një ore i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama me zëvendësndihmës sekretarin Hoyt Yee ka qënë përgjithësisht takim kortezie.
Yee i cili është në prag të lënies së detyrës, ka falenderuar qeveritë shqiptare për mbështetjen për kauzën e luftëtarëve mek, një çështje e ndjeshme për Uashingtonin.
Burime nga takimi thonë se përtej zërave në disa media, nuk ka një paketë amerikane për zgjidhjen e krizës në Tiranë, përtej asaj që u ofrua nga McAllister.
Zëvendësndihmës sekretari Yee sipas burimeve në takim vlerësoi disponibilitetin e qeverisë për të gjetur pika takimi me opozitën, por ndërkohë u njoh me qëndrimin e kryeministrit se tashmë nuk është e mundur as shtyrja e zgjedhjeve disa javë.
Makina elektorale socialiste ka ndezur motorët ditë para 18 majit, e enjte, ditë kur fushata fillon zyrtarisht. Në të njëjtën ditë edhe Kolegji Zgjedhor jep vendimin për kërkesën e opozitës për pavlefshmërinë e afatit të regjistrimit të listave për deputetë nga maxhoranca.
Në një shenjë se kjo është pika e fundit e mbetur pa derdhur nga vota e krizës, Lulzim Basha që takon Yee rreth orës 15.00 të ditës së hënë paralajmëroi sërish gjykatësit për vendimin që duhet të japin.
Pritshmëritë e takimit të zyrtarit të Departamentit të Shtetit, i cili pas kryeministrit takoi edhe kreun e Kuvendit Ilir Meta, janë kështu të ulëta. Ilir Meta dhe LSI kanë qenë hermetik lidhur me takimin me zyrtarin e lartë amerikan.
Burime nga takimi thonë se presidenti i zgjedhur ka shprehur të njëjtin qëndrim se LSI është e gatshme të bëjë gjithçka për arritjen e një marrëveshjeje dhe futjen e opozitës në zgjedhje.
Por, mesa duket, ndërkombëtarët janë bindur më herët sesa opinioni publik vendas se opozita nuk lëviz nga vendimi i saj për të mos hyrë në zgjedhje.
Zgjedhje që, siç tha dhe Hoyt Yee të dielën nga Budva, për amerikanët do të jenë në çdo rast legjitime, shkruan Tch. /Telegrafi/