Site icon Telegrafi

Yarmolenko tregon se si e prishi miqësinë me Timoshchukun shkaku i luftës – ndarja e tyre ishte me të shara edhe pse dikur e konsideronte idhull ish-kapitenin

Ylli ukrainas i futbollit Andriy Yarmolenko ka zbuluar se ka ndërprerë lidhjet me ish-bashkëlojtarin e tij në kombëtare, Anatoliy Timoshchuk, për shkak të refuzimit të ish-futbollistit të Shakhtar dhe Bayern Munich për të dënuar pushtimin rus të Ukrainës.

Timoshchuk mori shumë kritika për heshtjen e tij pasi Rusia pushtoi Ukrainën.

Dikur ai ka qenë kapiten i kombëtares së Ukrainës dhe sot e quajnë tradhtar të popullit të tij. Në vendlindjen e tij në Lutsk, ai përjetoi poshtërimin më të madh të mundshëm duke e shpallur person “non grata” dhe duke i hequr titullin qytetar nderi.

Pavarësisht agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, Timoshchuk vazhdoi të punojë për Zenitin. Komiteti i Etikës i Federatës së Futbollit të Ukrainës i ka hequr licencën e trajnerit, të gjitha titujt dhe nderimet, ndërsa Yarmolenko tashmë ka shkëputur miqësinë me ish-mesfushorin.

E pyeta: “Si fle natën?” Ai u përgjigj: ‘Nuk jam duke fjetur’, tregon Jarmolenko për Zorya Londonsk.

“Pastaj më thirri. I thashë: ‘Dikur të kam pasur shembull, tani asgjë’. Më pas më shau, ndërsa unë ia ktheva njësoj”, ka rrëfyer futbollisti i West Hamit.

Timoshchuk luajti deri në 144 ndeshje me fanellën e kombëtares së Ukrainës dhe shënoi tre gola.

Si mesfushor ka luajtur për Bayern Munich, Zenit, Shakhtar, Kairat dhe Volyn Lutsk. /Telegrafi/

Exit mobile version