Telegrafi

Xi i Kinës planifikon një vizitë në Rusi javën e ardhshme

Presidenti kinez Xi Jinping po planifikon të udhëtojë në Rusi për t’u takuar me homologun e tij, Vladimir Putin, javën e ardhshme.

Kështu kanë thënë njerëz të njohur me këtë çështje, shkruan Reuters, që do të ishte një vizitë më shpejt se sa pritej.

Sipas Reuters, përcjell Telegrafi, planet për një vizitë vijnë pasi Kina ka ofruar për të ndërmjetësuar paqen në Ukrainë, një përpjekje që është pritur me skepticizëm në Perëndim duke pasur parasysh mbështetjen diplomatike të Kinës për Rusinë.

Agjencia ruse e lajmeve Tass raportoi më 30 janar se Putin e kishte ftuar Xi-n për ta vizituar Rusinë në pranverë.

E Wall Street Journal raportoi muajin e kaluar se një vizitë në Moskë mund të bëhet në prill ose në fillim të majit.

Ndërkohë, vë në pah Reuters, Ministria e Jashtme e Kinës nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment mbi mundësinë që Xi të shkojë në Moskë dhe Kremlini refuzoi të komentojë. /Telegrafi/