Kosova është paraqitur me një garuese, Laurina Gashin, në Kupën Evropiane U18 (kadetë) në Riga të Letonisë, por kjo e fundit ka nderuar vendin tonë duke e fituar medaljen e artë.
Në këtë garë po marrin pjesë 15 shtete dhe 190 garues.
Laurina Gashi (-52kg) ka shkëlqyer në këtë garë të xhudos për kadetë, duke marr tri fitore për tu stolisur me të artën.
Xhudistja jonë e talentuar fillimisht mposhti finlandezen, Pihla-Maria Seikkula për të kaluar në gjysmëfinale.
Në gjysmëfinale xhudistja pejane shënoi fitore ndaj ukrainases Mariia Vasiuta, duke mos e diskutuar për asnjë moment fitore.
Në finale të garës Laurina Gashi kishte punë me lituanen, Rugile Marozaite, ku e mposhti me ‘Ippon’ për ta fituar meçin.
Laurina për trajner ka Dukagjinin Gashin, i cili ka bërë punë të madhe më xhudisten e re që është një nga shpresat e Kosovës.
Frytet e punës së madhe të trajnerit vetëm kanë filluar të vijnë me medalje të arta. /Telegrafi/