Xhudisti Akil Gjakova do ta bartë flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse të Lojërave të dyta Evropiane ‘Minsk 2019’.
Ceremonia hapëse mbahet më 21 qershor në stadiumin e Minskut, prej orës 21:00 me kohën tonë.
Vendimi për Gjakovën u mor, pasi tri xhudistet tjera, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova e Distria Krasniqi, do të mungojnë në ceremoni shkaku i shortit që hidhet të premten mbrëma dhe garave që i zhvillojnë të shtunën në mëngjes.
Akil Gjakova është sportisti më i suksesshëm i Kosovës për vitin 2018 i zgjedhur nga Komiteti Olimpik i Kosovës.
Vitin e kaluar u bë kampion i Evropës për U-23, ndërsa medalja e artë e fituar në Grand Slamin e Parisit vitin e kaluar, mbetet një nga sukseset më të mëdha të tij.
Komiteti Olimpik i Kosovës ka bërë më herët publike listën prej 12 sportistëve të Kosovës, të cilët do ta përfaqësojnë vendin tonë në Lojërat e dyta Evropiane ‘Minsk 2019’ që mbahen në periudhën 21-30 qershor 2019 në kryeqytetin e Bjellorusisë. /Telegrafi/