Xhudistët kosovarë të enjten kanë mësuar kundërshtarët që do t’i kenë të premten (sot) në turneun “Grand Prix” që mbahet në Tbilisi të Gjeorgjisë.
Si në disa vende të tjera që nuk e kanë njohur Kosovën, Nora Gjakova, Distria Krasniqi e Akil Gjakova në Gjeorgji nuk do të mund të prezantojnë vendin e tyre, shkruan sot Koha Ditore.
Ata do të garojnë si xhudistë të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF). Si xhudistë të IJF-së janë paraqitur të enjten në sajtin “ippon.org” ku bëhet paraqitja e detajuar e garave të xhudos.
Më herët këtë vit Nora Gjakova është detyruar të garojë si garuese e IJF-së në turneun Grand Prix që u mbajt në Havana të Kubës. Ka gjasë që në mënyrë të njëjtë xhudistet kosovare të garojnë edhe në kampionatin evropian që mbahet në Kazan të Rusisë pas afro një muaji.
Në Federatën e Xhudos së Kosovës thonë se IJF-ja ka pranuar një mënyrë të tillë të prezantimit kur xhudistët e një vendi paraqiten në një garë që mbahet në një vend që nuk e njeh atë shtet. Ka edhe raste tjera kur xhudistët jo vetëm ata të Kosovës garojnë me flamur të IJF-së. Por xhudistët kosovarë përballen vazhdimisht me këtë problem.