Site icon Telegrafi

Xhubleta e Malësisë, pasaportë e trashëgimisë dhe prejardhjes ilire

Xhubleta përbën një nga elementet identifikuese tipike të veshjes së grave shqiptare, posaçërisht të Malësisë së Veriut, ku si emblemë kryesore është shqiponja, si dhe simbole të tjera që paraqesin lidhjet me fenë katolike dhe besimin te Zoti.

Muzeu Historik Kombëtar evidenton se xhubleta e malësisë është një veshje me një fund në trajtë kambane, me forma mahnitëse dhe shumëllojshmëri ngjyrash, por ato që kanë mbërritur deri në ditët e sotme janë të zeza për gratë dhe bardhë e zi për vajzat.

Pjesë të tjera të kostumit me xhubletë janë kraholina, xhoka, kërdhokla, paraniku, kallmat, shputat, etj.

Mbi të gjitha, është një veshje që nxjerr në pah bukurinë dhe hiret e grave malësore. Malësia e Madhe, si një qendër e hershme e banuar, e ka ruajtur dhe e ka trashëguar xhubletën deri në ditët tona. Sipas shumë studiuesve të huaj e vendas, prejardhja e saj i takon periudhës së qytetërimit kreto-mikenas, çka është dëshmitare e një qytetërimi të lashtë mesdhetar, pasi vjen nga më shumë se 4000 vjet histori.

Xhubleta është një veshje e punuar nga shajaku (zhguni) në katër liqe, e zbukuruar me fije spiku të zi e me formë kambane, e valëzuar, sidomos pjesa e prapme e saj.

Te xhubleta janë përdorur ari, argjendi, mëndafshi apo kadifja vishnje që njihej në të gjithë Europën si veshje vetëm për aristokratët. Autori hungarez, Daniel Kornidez thoshte: “As palloi e as ylberi nuk kanë aq ngjyra sa xhubleta e grave kelmendase.

Një veshje sa mistike aq edhe mjeshtërore, sipas historianëve dhe etnografëve, xhubleta mendohet se vjen nga zonat bregdetare, por me kalimin e kohës është ruajtur në zonat më konservatore, siç është malësia e Mbishkodrës dhe Dukagjini, në disa fise të Nënshkodrës që kishin zbritur nga Malësia, si dhe te shqiptarët e Malit të Zi dhe ata të Rugovës në Kosovë.

Nëpër muzetë e vendit janë disa xhubleta që datojnë që nga vitet 1800 dhe në fillim të viteve 1900, të cilat kanë edhe një sërë aksesorësh të rëndësishëm.

Komitetit Ndërqeveritar për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s që u mbajt më 29 nëntor në Marok vendosi që kostumi popullor i xhubletës malësore dhe dija artizanale e prodhimit të saj të jenë pjesë e listës së Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të njerëzimit. /ATSH/

Exit mobile version