Boksieri më i mirë i Kosovës, Armend Xhoxhaj, për humbjen prej boksierit nga Franca, Paul Omba Biongolo, i vë faj gjyqtarit në ring dhe atyre jashtë ringut.
Xhoxhaj ngul këmbë se ka qenë dukshëm më i mirë se kundërshtari në raundin e dytë dhe të tretë. Por si Xhoxhaj nuk menduan gjyqtarët të cilët unanimisht ia dhanë fitoren francezit me rezultat 3:0, shkruan sot Koha Ditore.
Lufta e Xhoxhajt ishte e vlefshme për 116 e finales në kategorinë deri 91 kilogramë, në turneun kualifikues evropian olimpik që po zhvillohet në Samsun të Turqisë. Xhoxhaj boksoi të dielën mbrëma.
“Meçi që e kisha të dielën ka qenë mjaft i fortë kundër një kundërshtari shumë të mirë. Raundin e parë e humba, kurse në dy të tjerët kam qenë shumë më i mirë se francezi. Por, në fund të meçit, pasi ra gongu ai vazhdoi të më godasë dhe unë me nervozizëm ia ktheva duke e goditur atë mbi duart e gjyqtarit dhe më duket se e godita edhe gjyqtarin. Dhe krejt në fund gjyqtari u desh që të dyve të na jepte vërejtje publike, por referi më dha vetëm mua, me të cilën vërejtje më humbi raundin e tretë dhe gjithë meçin. Kjo ishte e padrejtë që më bënë dhe nuk është hera e parë që dëmtohem nga referi dhe gjyqtarët anësorë, në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Xhoxhaj për gazetën kohaditore.
Xhoxhaj thotë se padrejtësi i kanë bërë edhe në të kaluarën, si në Lojërat Evropiane të vitit të kaluar në Baku të Azerbajxhanit. Ai qe eliminuar në çerekfinale.