Xhiro e 17-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll starton sot me tre ndeshje që janë në program për tu zhvilluar.
Sigurisht që ndeshja kryesore e ditës së sotme do të zhvillohet në Podujevë, ku Llapi është nikoqir i Ballkanit.
Llapjanët janë të tretët në tabelë me 28 pikë, 10 më pak se lideri Ballkani që ka edhe dy ndeshje më pak të zhvilluara, megjithatë ende nuk i kanë humbur shpresat për titull.
Të besuarit e Tahir Batatinës kërkojnë fitoren në mënyrë që të ngushtojnë diferencën me kampionin në fuqi që nuk di për humbje këtë edicion ku ka marrë 12 fitore e dy barazime.
Sfidë shumë interesante zhvillohet edhe mes Prishtinës dhe Fushë Kosovës, ku kryeqytetasit kërkojnë të rikthehen te fitoret, derisa Fushë Kosova pas tre disfatave radhazi synon të marrë pikë në përballje me prishtinasit.
Dueli i tretë i ditës së sotme zhvillohet në stadiumin Liman Gegaj në Malishevë, me Malishevën që pret Lirinë e fundit në tabelë.
Të tre duelet e ditës së sotme startojnë me fillim nga ora 13:00. /Telegrafi/