Ai iu bashkëngjit forcave çlirimtare të Sirisë që po luftojnë kundër regjimit të këtij shteti islamik. Para derës së një shtëpie në Prishtinë vetëm një karrige e thjeshtë tregon se aty është hapur dera për ngushëllime.
As fotografi, as lule, e as ndonjë shenjë e tij. Është kjo shtëpia ku kishte jetuar Naman Demolli deri sivjet. Luftimet e forcave çlirimtare të Sirisë ndaj regjimit të Bashar al -Assadit e kishin shtyrë këtë shqiptar të Kosovës që të shkojë që të luftojë përkrah forcave çlirimtare, shkruan “Express”.
Dëshira që edhe Siria ta ketë fatin sikurse edhe atdheu i tij, e kanë shtyrë Naman Demollin që të rrokë armën kundër regjimit të Assadit. Mirëpo, javën që shkoi ai humbi jetën në një nga betejat në një lokalitet afër kufirit me Turqinë.
Të shtunën familja mori vesh lajmin për vdekjen e tij. Tashmë e kanë hapur edhe të pamën për ata që duan ta ngushëllojnë familjen që gjendet në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë.
Mirëpo, familjarët e Namanit i qëndrojnë besnik bindjes së tij fetare se kur të vdesë njeriu, nuk duhet vënë fotografi, e as lule, e madje as të flasin për veprimtarinë e tij. Thonë se këto të gjitha i ndalon feja islame. Familjarët duan të qajnë të dashurin e tyre pa u penguar nga mediat.
“Mos na pengoni, na leni në mërzinë tonë”, tha njëri nga familjarët e Namanit të hënën.
Megjithëse ata e kanë marrë lajmin të shtunën që shkoi, familja nuk jep informata nëse trupi i tij do të kthehej në Kosovë për t’u varrosur apo jo.
Në ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme deri të hënën pasdite nuk ka dhënë asnjë version në lidhje me vdekjen e shtetasit Naman Demolli.
Telefonat e zyrtarëve të kësaj ministrie të hënën kanë qenë pothuajse të mbyllur.
Naman Demolli nuk ishte fytyrë e panjohur për publikun. Ai njihet si njëri ndër aktivistët më të zellshëm të Lëvizjes Bashkohu që pati mbajtur shumë protesta për të ndërtuar xhaminë e madhe në kryeqytet.
Demolli me një grup të rinjsh vitin që shkoi krye në veti pati mihur një vend në oborrin e Fakultetit Filologjik, ku sipas tij, duhej të ndërtohej xhamia e Prishtinës.
Trualli ku do të ndërtohet xhamia e Prishtinës, i ndarë afër Postës në lagjen Dardania, nuk u ka pëlqyer asnjëherë aktivistëve të Lëvizjes Bashkohu. Ata vazhdimisht kanë kërkuar një lokacion në qendër të Prishtinës, madje edhe duke protestuar në rrugë. Protestat dhe faljet në rrugë ndonjëherë kanë shtyrë edhe organet e rendit që të përballen me protestuesit.
Një ndër ta ishte edhe Naman Demolli, i cili edhe qe arrestuar nga Policia. Mësohet se Naman Demolli në shkurt të vitit 1999 kishte ardhur si vullnetar nga Perëndimi për t’iu bashkuar UÇK-së. Aktivitetin e tij luftarak ai e zhvilloi në Zonën Operative të Dukagjinit.
Njëra nga ish-luftëtaret e kësaj zone, Fetnete Ramosaj, konfirmon se Demolli kishte ardhur si vullnetar në luftën e UÇK-së dhe në mars të po këtij viti kishte shkuar për furnizim me armë në Shqipëri. Ndonëse nuk e njeh personalisht, Ramosaj sqaron se në një pritë që kanë rënë një grup ushtarësh, në mesin e tyre ishte edhe Demolli, ku ishte plagosur.
“Në këtë pritë kanë mbetur të vdekur 14 luftëtarë, ndërkaq Naman Demolli dhe disa të tjerë ishin plagosur, e ku më pas janë dërguar për shërim në Tiranë. Nuk kam informata nëse ai është kthyer sërish në luftë pas këtij rasti”, tha Ramosaj për “Express”.
Megjithatë mësohet se Naman Demolli nuk është i vetmi nga shqiptarët që u është bashkuar forcave çlirimtare të Sirisë. Në këtë vend madje janë formuar edhe njësite me shtetas të Sirisë, që janë me origjinë shqiptare, që po luftojnë në anën e çlirimtarëve.
Naman Demolli është shqiptari i parë nga Kosova i vrarë në Siri. /Telegrafi/