Site icon Telegrafi

Xhevat Limani dekorohet me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Në një ceremoni rasti, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, dekoroi artistin shqiptar Xhevat Limani me titullin Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut.

“Artisti i madh Xhevat Limani e ringjalli kryeheroin kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu me poemën dramatike në regjisurë dhe aktrim autorial me Teatrin Shqiptar në Amerikë që i ra skenave botërore shqipërisht dhe u kthye në ambasador dhe reprezentues më të denjë të të kryevlerës sonë kombëtare, ndaj me plotë meritë i jap titullin Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, theksoi presidenti në fjalën e tij.

Le të citojmë me këtë rast dy personalitete të kulturës dhe artit shqiptar, prof. Dr. Kristaq Shabani, president i Pegasi Albania si propozues të artistit të madh Xhevat Limani për dekorim dhe Dr. Bexhet Asani të cilët shkruajnë me guxim intelektual dhe artistik “Xhevat Limani për kryeheroin kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Vitin 2018 i shpallur nga qeveritë shqiptare si vit i Skënderbeut, bëri atë punë dhe veprimtari artistike që nuk e bënë dot dy qeveritë shqiptare, ministritë e kulturës dhe teatrot shqiptare që mrizojnë dhe servilojnë nën flladin e buxheteve shtetërore dhe taksave të popullit.

Mbi 50 shfaqje vetëm brenda Vitit të Skënderbeut në SHBA-së dhe Evropë duke tingëlluar Shqipërisht, kjo shprehje tipike e Xhevat Limani, nëpër skenat botërore: New York, Detroit, Waterbury, Worcester, Boston. Zagreb, Vjenë, Luzern, Cyrich, Gjenevë, Paris, Shtutgart, Munih, Londër, Kopenhagë, Prishtinë, Tiranë, Shkup, Dibër, Strugë, Durrës, Fier, Gjakovë, Vlorë, Gjirokastër, Frasnita, Çifti, Hungra, Kozenca, San Giorgio Albanessi- Mbuzati (Kalabri), Hora e Arbëreshëve në Sicili, Manastir dhe Athinë ku triumfoi pasi shfaqja u luajt në kuadër të Festivalit Interballkanik dhe dy protagonistët Xhevat Limani dhe Era Hoxha (mbreti dhe mbretëresha) fituan shpërblimet si aktorë më të mirë dhe njëkohësisht fituan shpërblimet e UNESCO -s si prezentues të vlerave trashëgimore”.

Projekti Gjergj Kastrioti Skënderbeu pas pandemisë vazhdon turin marathonomak në Brazil, Argjentinë, Australi, Ukrainë, etj. Le t’i urojmë shëndet dhe vullnet artistit të madh Xhevat Limani që të vazhdojë me misionin e tij artistik dhe kombëtar. Ai për këtë është i lindur…

Shqipërisht respekte për presidentin e Republikës së Shqipërisë që nderoi kolosin e teatrit shqiptar, Titanin e skenës, kryeshqiptarin dhe misionarin Xhevat Limani.

Exit mobile version