Deputetja e PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Xhevahire Izmaku, ka reaguar pas vdekjes së mësueses Arbenita Spahiu, derisa ishte duke lindur foshnjën e saj në Spitalin e Gjilanit.
Izmaku ka thënë se në vend të urimit për 7 e 8 mars, po bënë një reagim, për shkak të vdekjes së rëndë që tronditi opinionin në Kosovës, transmeton Veriu.info
“Sot e dje opinioni i vendit mbeti i hutuar nga lajmi i dhembshëm, lidhur me vdekjen e Arbenita Spahiut nga Gjilani, ku ende mbetëm në pritje të së vërtetës, nëse kjo vdekje erdhi si pasojë e neglizhencës apo edhe mund të ishte vdekje e natyrës tjetër!
Nuk kaloi as edhe një vit, kur ne gratë deputete reaguam për trajtimin e keq të një pacienteje e cila gati sa nuk lindi në korridoret e gjinekologjisë! Ne sigurisht që i shohim raste të izoluara dhe kjo nuk e zbeh besimin tonë, që në spitalet tona ka mjeke e mjek të përgjegjshëm e me dinjitet! Por, se ne kemi nevojë për një kontroll shumë më te disiplinuar dhe te ushtrojmë një kod të forte etike në ambientet spitalore, nuk diskutohet!”, ka shkruar deputetja Izmaku në Facebook, duke thënë se Arbenita si mësuese që ishte, në vend të urimit për ditën e mësuesit, ka marrë ‘dhuratë’ kurora varri!
“Ajo nuk arriti të shoh qoftë edhe një herë foshnjën e sapolindur, sepse mbylli sytë në spitalin e Gjilanit, në minutat e parë të lindjes! Ne si deputete, do të jemi pranë zbulimit të së vërtetës për këtë dhe çdo rast tjetër devijues!
Ngushëllime të sinqerta për familjen e Arbenitës dhe gjithë te afërmeve dhe kolegëve të së ndjerës!”, përfundon reagimin e saj deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku.
Ndryshe, 27-vjeçare nga Gjilani, e cila ndërroi jetë më 3 mars 2016, pak orë pasi lindi beben e saj në Spitalin e Gjilanit. Prokuroria po e cilëson vdekjen si të dyshimtë dhe po heton për neglizhencë mjekësore.