Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, nderoi poetin Xhevahir Spahiu në ditëlindjen e tij të 75-të, me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, me motivacionin: “Poet që me krijimtarinë e tij u bë pararendës i një brezi krijuesish, që solli në poezinë shqipe ndryshime cilësisht të spikatura në formë e përmbajtje, dhe guxoi t’i japë asaj dimensione të denja për letërsitë e mëdha”.
“Kur të bëhet një histori e vërtetë e publicistikës shqiptare, Xhevahir Spahiu do të jetë në krye të vendit si reporter, prej të cilit gazetarët e sotëm të Shqipërisë, që e kapërcejnë Unazën e Tiranës vetëm kur ka zgjedhje, do të ndihen kokulur. Kur të shkruhet një histori e poezisë militante, por jo për motive ideologjike: një poezi militante si e Migjenit, prapë Xhevahir Spahiu do të jetë në vendin e nderit. Kur të kemi një histori të dukurive letrare që ndodhën në vitet 1970, sërish Xhevahiri ynë, Xhevahiri i letërsisë shqipe, do të jetë një emër i pazëvendësueshëm”, ka thënë Meta.