Tërmeti i 26 nëntorit i vitit 2019 do mbahet mend gjatë për pasojat që ka lënë në Shqipëri, ku humbën jetën mbi 50 persona e mijëra të tjerë mbetën pa shtëpitë e tyre.
Megjithatë, vitin e kaluar shumë prej të famshmëve morën përsipër iniciativa të ndryshme për t’iu ardhur në ndihmë të prekurve nga ky tërmet.
Në mesin e tyre ishin edhe modelet tashmë me famë ndërkombëtare, Adrola Dushi dhe Xhesika Berberi, të cilat bënë një fond dhe së fundmi rindërtuan dy shtëpi.
Derisa falenderoi Xhesikën, por edhe miqtë e shumtë që kontribuan, Kryetari i Bashkisë se Tiranës, Erion Veliaj tha se janë porositur për rindërtim rreth 1 mijë shtëpi individuale.
“Shteti bën sa mundet, por edhe shteti ka limite. Kur shteti nuk i bën të gjitha gjërat vetë, kërkon ndihmë nga shoqëria, nga njerëzit e famshëm, nga ata që kanë mundësi, nga njerëz që frymëzojnë të tjerët. Falë Xhesikës, Adrola Dushit dhe gjithë artistëve të tjerë, që kanë një reputacion, në vend që ta përdorin reputacionin për më shumë vanitet, per Instagram e Facebook, vendosen qe këtë reputacion ta shfrytëzojnë për t’i bërë shtëpinë Nuriut dhe Enos së vogël. Ndaj, edhe unë e kam zemrën plot me mirënjohje per ta. Ne do ta bëjmë punën tonë, jemi në një fazë ku kemi 1 mijë shtëpi të porositura, por çdo njeri që na heq një pjesë të barrës, na jep nje dorë”, tha ai.
Mes emocioneve dhe lotëve të gëzimit, modelja Berberi tregoi se si vendosi që të mbledhë fondet për rindërtimin e shtëpisë.
“Ideja për të kontribuar në këtë ditë të vështirë per shqiptarët, lindi thjesht nga zemra. Më dhembi zemra kur e pashë se si në një mëngjes, kur një tërmet ra e u shkatërruan shumë shtëpi, shumë njerëz humbën jetën dhe e ndjeva të domosdoshme të jepja kontributin tim. Mendova të hapja një faqe ne Go Fund. Nuk mund të le pa falenderuar Adrola Dushin, e cila dha një mbështetje shumë të madhe këtu. Gjithashtu, edhe të gjithë njerëzit që kanë dhuruar sepse kjo ishte gjëja më e bukur. Nga të gjithë ne u mblodhën këto fonde dhe u bë e mundur ndërtimi i dy shtëpive. Është gjëja që më ka bërë më krenare deri tani, kam vendosur që të ndihmoj dhe një familje tjetër dhe do ndërtoj edhe një shtëpi tjetër”, theksoi ajo. /Telegrafi/