Një banderolë e bardhë me shkrim të zi, ku shkruhej: ‘Xhesi jeton brenda nesh përgjithmonë” ishte vendosur sot nga shoqet e klasës së shqiptares Jessica Malajt në gardhin e jashtëm të shkollës së mesme klasike Isiss ‘Fiani-Leccisotti’ në Itali.
Më pas në orën 9.45 ra zilja e shkollës për një minutë heshtje dhe të gjithë – studentë, mësues dhe personel administrativ – u ndalën për të kujtuar në heshtje 16-vjeçaren që humbi jetën në mënyrë tragjike.
Ngjarja e rëndë tronditi të dielën Italinë, ku 45-vjeçari shqiptar Taulant Malaj ekzekutoi shtetasin italian Massimo De Santis, plagosi bashkëshorten si dhe vrau të bijën 16-vjeçare.
Malaj dyshonte se bashkëshortja e tradhtonte me shtetasin italian Massimo De Santis, me të cilin u ndesh në shkallët e pallatit ku banonte.
Malaj ka nxjerr thikën dhe e ka ekzekutuar në vend italianin. Më pas ai është ngjitur në banesë ku ka tentuar të vrasë bashkëshorten e tij.
E bija, Xhesika ka dalë para të ëmës, duke marrë goditje me thikë nga babai i saj, të cilat i shkaktuan vdekjen. Tefta Malaj, bashkëshortja e Taulantit u plagos rëndë, por mundi t’i shpëtonte plagëve të marra dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spital. /Telegrafi/