Site icon Telegrafi

Xherdan Shaqiri i injoron totalisht, Granit Xhaka tregohet diplomat me mediat serbe kur pyetet për Kosovën

Brazili ia doli të mposhte Zvicrën me rezultat 1-0 në kuadër të Grupit G në Kampionatin Botëror.

Helvetikët tani do e kërkojnë kalimin në fazën e eliminim direkt në duelin me Serbinë, ndërsa kanë tri pikë dhe një barazim do u mjaftonte atyre për të kaluar në raundin tjetër.

Pas ndeshjes së djeshme mes Brazilit dhe Zvicrës, gazetarët nga Serbia ishin të shumtë dhe kërkonin prononcimin nga dy futbollistët me origjinë shqiptare.

Fillimisht kërkoheshin fjalë nga Xherdan Shaqiri, por ky i fundit i injoroi totalisht duke zgjedhur që mos t’i përshëndes.

Nga ana tjetër, Granit Xhaka është treguar jo pak diplomat. I pyetur nga gazetarët serbë mbi flamurin e vendosur me hartën e Kosovës, mesfushori tha se nuk ka lidhje me këto dy ekipe.

“Këtu nuk ka histori mes dy ekipeve”, deklaroi mesfushori i Arsenalit. “Ne jemi Zvicra, ata janë Serbia, kaq. Ne jemi këtu për të luajtur futboll – ata, edhe ne”.

Megjithatë, delegacioni serb në Botërorin e sivjetshëm tashmë e ka bërë problem politikën e Kosovës.

Dhoma e zhveshjes së Serbisë përpara ndeshjes hapëse kundër Brazilit shfaqi një flamur kombëtar me territorin që përfshinte Kosovën dhe sloganin.

FIFA hapi një rast disiplinor kundër federatës serbe të futbollit të shtunën.

Federata e Futbollit të Kosovës u ankua zyrtarisht në FIFA pasi një fotografi qarkulloi dhe ministri i sportit i vendit, Hajrulla Çeku, e përshkroi imazhin si duke përdorur Botërorin për të promovuar “mesazhe urrejtjeje, ksenofobike dhe gjenocidale”.

Zviceranët kaluan në raundin e 16-të në 2018 pas barazimit me Kosta Rikën në ndeshjen e fundit të grupit, ndërsa serbët u eliminuan pas humbjes nga Brazili. Kësaj radhe, skuadrat shkojnë ballë për ballë në ndeshjen e tyre të fundit në grup. /Telegrafi/

Exit mobile version