Telegrafi

Xherdan Shaqiri e bën sërish shqiponjën, kësaj radhe para aparatit të fotografit Fadil Berisha

Foto: Fadil Berisha/Instagram

Futbollisti i njohur shqiptar, Xherdan Shaqiri, pati një paraqitje shumë të suksesshme gjatë Kampionatit Botëror 2018.

Senzacion në media u bë simboli i shqiponjës, të cilin ai dhe futbollisti tjetër shqiptar, Granit Xhaka, e bënë me duar gjatë ndeshjes së Zvicrës kundër Serbisë.

Xherdan Shaqiri (Foto: Getty Images)

Një simbol i cili pasoi edhe me dënim nga FIFA, por që gjithsesi bëri që këta futbollistë të identifikohen me diçka të tillë.

Së fundmi, Shaqiri ka udhëtuar për në New York, ku ka realizuar edhe një set fotografik në studion e fotografit të njohur shqiptar, Fadil Berisha.

Ky i fundit, ka publikuar në llogarinë e tij zyrtare në Instagram një fotografi, ku shfaq Xherdan Shaqirin të rrethuar nga nga miqtë e tij shqiptarë, teksa bëjnë shqiponjën me duar.

Fotografia është realizuar në New York, ku mesa duket futbollisti shqiptar ka pasur rastin të takohet me shumë prej miqve të tij.

Kujtojmë se këtë muaj ai u transferua në Liverpool, klub në të cilin do të luajë tani e tutje. /Telegrafi/