Site icon Telegrafi

Xhemajl Rexha zgjidhet kryetar i AGK-së

Xhemajl Rexha është zgjedhur kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Në kuvendin e sotëm zgjedhor, Rexha mori 171 vota, ndërsa kundërkandidati i tij, Arton Mulliqi 143. Derisa, votat për anëtarë të bordit do të bëhen publike më vonë.

Kryetari i ri i AGK-së, duke i treguar prioritetet e tij, tha se do të punojë për ta ruajtur dinjitetin e gazetarëve dhe promovuar punën e tyre.

“Është një nder i jashtëzakonshëm që të jem në krye të këtij asociacioni dhe shpresoj që të punojmë bashkë për të ruajtur dinjitetin e gazetarëve për të promovuar punën e tyre në mënyrën më të mirë, për të ruajtur lirinë e medias, lirinë e shprehjes, në një kohë posaçërisht sfiduese në Kosovë në të cilën po kalojmë aktualisht dhe besoj që duke qenë bashkë, duke e përkrahë njëri tjetrin mund të çojmë përpara punën tonë. Pres bashkëpunim edhe nga kundërkandidati të cilin e falënderoj për garën korrekte që kemi pasur dhe besoj, siç e thashë, bashkë me bordin e ri të nisim punën në kontakte të përditshme qe të bëjmë më të mirën në mënyrë që gazetarët të kenë vendin që e meritojnë në shoqëri”, tha ai.

Megjithëse nuk e fitoi garën, në prezantimin e kandidaturës së tij para anëtarëve të AGK-së, Arton Mulliqi tha se synimi i tij ishte identifikimi dhe dokumentimi i problemeve të gazetarëve, si dhe krijimin e një fondi të veçantë për gazetarët.

“Pas gati 2 dekadave në këtë zanat, sa fisnik po aq edhe të vështirë vendosa t’i hyj garës për t’iu përfaqësuar juve që sot jeni të pranishëm, po edhe ata që nuk kanë mundur të jenë pjesë sot…. do të përmend disa nga synimet me të cilat i kam hyrë kësaj gare: Identifikimi dhe dokumentimi i problemeve të gazetarëve, krijimi i një fondi të veçantë për gazetarët dhe themelimin e një mekanizmi për siguri…do t’i adresojmë drejt dhe me kohë këto që të përpiqemi t’iu japim një zgjidhje meritore”, ka thënë ai.

Ndërkohë, ish kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli tha se gjatë mandatit të saj janë bërë shumë të arritura në mbështetje të gazetarëve.

Në votimin e kryetarit të ri morën pjesë rreth 300 anëtarë të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Exit mobile version