Telegrafi

Xhemaili: 980 vaksinat që i morëm mjaftojnë për punëtorët shëndetësorë në Gjilan

Nesër pritet që të nisë vaksinimi i personelit shëndetësor në Gjilan.

Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Selami Xhemaili, ka thënë se 980 dozat që kanë pranuar janë të mjaftueshme për të vaksinuar punëtorët shëndetësorë në Gjilan.

“Komuna jonë, gjegjësisht Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, ka bërë të gjitha parapërgatitjet në mënyrë që sapo të arrijnë vaksinat kundër COVID-19 të fillojmë me procesin e vaksinimit. Ne sot nga IKSHPK-ja kemi pranuar 980 vaksina që për këtë fazë janë të mjaftueshme vetëm për vaksinimin e punëtorëve shëndetësorë në komunën tonë që përfshin Spitalin Rajonal (588 punëtorë shëndetësorë), Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (325 punëtorë shëndetësorë), Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik (30 punëtorë shëndetësorë) dhe punëtorët shëndetësorë të institucioneve private (për të cilët nuk kemi shifër të saktë se sa janë)”.

“Ne të gjitha përgatitjet rreth regjistrimit të punëtorëve shëndetësorë dhe të të moshuarve mbi moshën 80 vjeçare i kemi bërë”.

Ai, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka thënë se vaksinimi në Gjilan pritet të nisë rreth mesditës së ditës së nesërme derisa nuk dihet akoma se kush do të jenë personat e parë që do ta marrin vaksinën kundër COVID-19.

“Janë përgatitur katër ekipe që janë të trajnuar për dhënien e vaksinave dhe një ekip rezervë. Presim që vaksinimi për punëtorët shëndetësorë të komunës tonë të fillojë nga mesdita”.

Drejtori i Shëndetësisë në Gjilan ka deklaruar se presin që së shpejti të nisin edhe me vaksinimin e personave mbi moshën 80 vjeçare dhe atyre me sëmundje kronike.

Xhemaili ka siguruar se procesi i vaksinimit do të jetë transparent dhe nuk do të mund të ketë keqpërdorime.

“Ne me kohë kemi filluar përpilimin e regjistrave të gjithë punëtorëve shëndetësorë dhe të gjithë të moshuarve dhe në bazë të këtyre listave do të bëjmë vaksinimin. Çdo gjë rreth vaksinimit të stafit shëndetësor dhe qytetarëve do të jetë transparente”.