Telegrafi

Xhelili: SHIK-u nuk ka nevojë për amnisti

Anëtari i Komisionit parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, Fatmir Xhelili ka thënë për Telegrafin, se struktura informative e ish-Shërbimit Informativ të Kosovës nuk ka nevojë për amnisti.

“Personalisht mua nuk ka nevojë të më amnistojë askush, sepse SHIK-u është formuar dhe ka vepruar e ka përfunduar misionin kryesor për ta shpallur Kosovën shtet dhe nuk ka bërë veprime joligjore”, ka thënë Xhelili, i cili ka qenë zyrtar i lartë i SHIK-ut.

Ai nuk ka dashur as të komentojë nëse kjo amnisti ka të bëjë me personat që e shpallin veten ish-agjentë të SHIK-ut, siç është Nazim Bllaca.

“Unë mund të flas për strukturën legale, për pjesëtarët që i kemi zgjedhur për të qenë zyrtarë të SHIK-ut. Këta persona nuk janë zgjedhë me konkurs, por me propozim, duke paraparë kritere shumë rigoroze, morale, njerëzore dhe kombëtare, edukativo-arsimore”, ka theksuar Xhelili, aktualisht deputet nga radhët e PDK-së.

Me Ligjin për Amnisti parashihet që të amnistohen pjesëtarët e strukturave paralele të sigurisë që kanë vepruar në veri të Kosovës. (A. Fazliu) /Telegrafi/