Telegrafi

Xhelili: Ata që e dinë kush i kreu vrasjet e pasluftës, le t’i tregojnë emrat

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri ka rikthyer akuzat në drejtim të SHIK-ut, kurse asaj i është përgjigjur ish- zyrtari i lartë i SHIK-ut, Fatmir Xhelili, aktualisht deputet nga radhët e PDK-së.

“Njerëzit nga LDK-ja janë vra nga SHIK-u vetëm pse kanë menduar ndryshe, vetëm pse populli i ka mbështet dhe ju ka dhënë pushtet, e ju mbështetjen dhe pushtetin ju është dashur ta merrni me krim e me vrasje”, ka thënë Gaxherri përmes një reagimi duke iu drejtuar partisë në koalicion PDK-së.

Lexo po ashtu Gaxherri: LDK nuk e ka luksin të bëjë lojëra me SHIK-un

Në lidhje me këtë, zyrtar i lartë i SHIK-ut nga radhët e PDK-së, Fatmir Xhelili ka thënë se kushdo që din se kush i ka kryer vrasjet le t’i drejtohet Prokurorisë.

“Nëse ajo apo kushdo që dinë se kush i ka bërë vrasjet le të drejtohet në Prokurorinë Speciale dhe le t’i tregon emrat. Unë nuk merrem me gjëra që janë në ajër”, ka thënë Xhelili, duke shtuar se këto po bëhen për marketing politik.

Gaxherri shumë herë ka akuzuar Shërbimin Informativ të Kosovës për vrasjen e njerëzve të LDK-së, duke hedhur dyshime për punën e udhëhequr nga Kadri Veseli dhe nga kjo organizatë.

Edhe pse ajo pati deklaruar se nuk do ta votonte Hashim Thaçin për president ajo qëndroi në sallën e Kuvendit, ndërsa pas përfundimit të seancës u pa teksa përshëndetej me Veselin.

Kujtojmë se kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në zgjedhjet elektorale të vitit 2014, prioritet i kishte zgjidhjen e vrasjeve të pasluftës, mirëpo prej koalicionit me PDK-në, sa i përket kësaj çështje ai ka qëndruar në heshtje. /Indeksonline/