Monografia “Sporti, shtetndërtimi dhe jeta publike” u promovua të hënën në Institutin Albanologjik në Prishtinë, vepër kjo e shkruar nga Veli Kajtazi dhe i kushtohet Xhavit Kajtazit, një figurë e shquar në gazetarinë sportive.
Roli dhe ndikimi i Xhavit Kajtazit në sport dhe gazetari u vlerësuan shumë.
Për jetën dhe kontributin e tij folën autori Veli Kajtazi, recenzenti Besim Kajtazi, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi dhe profesori Malsor Gjonbalaj.
Xhavit Kajtazi ka një karrierë të gjatë në sport dhe gazetari sportive. Fillimisht i përkushtuar ndaj muzikës, ai më pas u dallua si volejbollist dhe trajner, duke promovuar sportin e volejbollit në Prishtinë dhe në gjithë Kosovën.
Përmes punës së tij, ai ndihmoi në ngritjen e emrave të njohur të volejbollit kosovar.
Ndikimi i tij në avancimin e sportit dhe gazetarisë sportive është vlerësuar si i madh. Ai ka kontribuar gjithashtu në pavarësimin e sportit të Kosovës, duke informuar opinionin publik për zhvillimet e kohës.
Monografia, e mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përfshin qindra intervista, reportazhe dhe shkrime të Xhavit Kajtazit.
Familja Kajtazi njihet për angazhimin e saj në sport, me 13 anëtarë të përfshirë në periudha të ndryshme. /Telegrafi/